Disa qytetarë në Komunën e Bujanocit kanë zhvilluar një aksion simbolik para Shtëpisë së Shëndetit në këtë komunë me sloganin në dy gjuhët “Shtëpia e diskriminimit – Dom diskiminacije”. Ky reagim i shqiptarëve vjen si pasojë e pranimit të kuadrove serbe dhe injorimin e shqiptarëve në konkursin e fundit për mjekë në këtë komunë.
Për këtë aksion simbolik ka reaguar kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Nevzad Lutfiu. Sipas këtij të fundit, në konkursin e fundit është pranuar një kuadro nga Vranja, ndërsa janë përjashtuar kuadrot shqiptare nga Bujanoci.
“Sipas informacioneve që kemi 7 mjekë shqiptarë janë refuzuar në konkursin e fundit në Shtëpinë e Shëndetit në Bujanoc, ndërsa është pranuar një kuadër nga Vranja. Nuk jemi aspak kundër kur punësohen kuadro serbë apo romë që jetojnë në Bujanoc, por të punësohen kuadro nga qytete të tjera dhe të refuzohen kuadrot shqiptare që jetojnë në Bujanoc, kjo është e pa pranueshme”, shkruan Lutfiu.
Kujtojmë se qeveria e Serbisë nuk i njeh diplomat e lëshuara nga Republika e Kosovës, pavarësisht që dy herë liderët serbë ka nënshkruar marrëveshje në Bruksel. Madje Serbia ka nënshkruar edhe marrëveshjen në kuadër të Procesit të Berlinit për njohjen e diplomave, por edhe kjo nuk ka filluar të zbatohet.

