Komandanti i sapoemëruar i Gardës Revolucionare të Iranit, Mohammad Pakpour, ka kërcënuar me hakmarrje të ashpër për sulmet izraelite që vranë paraardhësin e tij, Hossein Salami.
“Në hakmarrje për gjakun e komandantëve, shkencëtarëve dhe qytetarëve tanë të vrarë, portat e ferrit do të hapen së shpejti për këtë regjim që vret fëmijë”, tha Pakpour në një deklaratë të transmetuar nga agjencia shtetërore e lajmeve e Iranit IRNA.
Kush është ai?
I lindur në vitin 1961 në Arak, Irani qendror, gjenerali Mohammad Pakpour mban një diplomë master në gjeografi nga Universiteti i Teheranit dhe një doktoraturë në gjeografi politike nga Universiteti Tarbiat Modares.
Ai u specializua në menaxhimin e rajoneve kufitare të paqëndrueshme të Iranit dhe në zhvillimin e doktrinës së luftës asimetrike, shkruajnë mediat e huaja.
Karriera e hershme dhe përvoja në luftë
Ai iu bashkua Gardës Revolucionare (IRGC) dhe Forcës Quds menjëherë pas Revolucionit Islamik në vitin 1979 dhe u vendos menjëherë për të luftuar kundër grupeve të armatosura në provincën iraniane të Kurdistanit.
Gjatë Luftës Iran-Irak të viteve 1980, Pakpour komandoi disa divizione në vijën e frontit, duke përfshirë divizionin elitar të 8-të Najaf Ashraf dhe divizionin e 31-të Ashura.
Ai u plagos në luftë, por fitoi reputacionin si një komandant i qëndrueshëm dhe pragmatik besnik ndaj themeleve ideologjike të Republikës Islamike.