Në Memorialin 27 Prilli, në Mejë të Gjakovës është vendosur përkohësisht guri i Nënës Pashke.
Kështu kanë bërë të ditur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Ky është vendi ku gjendet aktualisht guri. Ne Memorialin 27 Prilli ne Meje te Gjakovës, ku është vendos përkohësisht”, kanë thënë nga MKRS-ja.
Guri përkujtimor i Pashke Markut u hoq javën e shkuar. Lajmi u bë fillimisht i ditur nga studiuesi e shkrimtari Ag Apolloni, ndërsa më pas është konfirmuar nga familjarët e Markut.
Ministria e Kulturës pati njoftuar se ka dërguar autoritetet në vendngjarje, ndërsa Policia pati njoftuar se nuk është iniciuar rast.
Pronari i tokës, që jeton jashtë vendit, nuk është lajmëruar deri më tani.
Pashke Markut i ishin vrarë dy djem në fund të prillit të 1999-s. Trupat e tyre ishin gjetur në varreza masive nëpër Serbi. Më 27 maj 2003, Nana Pashke ia vuri flakën vetes pasi konsideronte se duhej të digjej edhe ajo.
