Përzgjedhës i Kosovës, Primozh Gliha, e ka vlerësuar traditën dhe kulturën futbollistike rumune, por ai ka thënë se në ndeshjen e të martës Kosova synon ta bëjë lojën e vet.
Slloveni është shfaqur para gazetarëve një ditë para ndeshjes, në konferencën e fundit për media.
“Kam përcjellur shumë ndeshje të Rumanisë, por është e rëndësishme që ne ta bëjmë lojën tonë. Kam njohuri për Rumaninë dhe është një vend që ka kulturë në futboll, ka traditë, por ne do të provojmë ta bëjmë lojën tonë e pastaj ta shohim si do të shkojë ndeshja. Nesër duhet të bëjmë paraqitje sa më të mirë”, deklaroi Gliha.
Dardanët kanë zhvilluar 5 ndeshje në grup dhe janë ende pa fitore dhe fitorja në këtë ndeshje do të ngrite edhe më shumë moralin e skuadrës.
Katër barazime dhe një humbje është bilanci aktual dhe fitorja ndaj Rumanisë do ta ngjiste në koutën e 7 pikëve, situatë për të ëndërruar.
Kjo pasi do të ishin edhe 4 ndeshje, apo 12 pikë në lojë, që nëse do të fitoheshin të gjitha, gjasat do të ishin të mëdha për të luajtur në Euro 2024.
Pra ndeshja e ardhshme ndaj Rumanisë është vendimtare në ecurinë e kualifikimeve. Pasi me një fitore eventuale në Bukuresht, Kosova do të mbetej në garë për të shkuar në Euro 2024.