Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë e ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri, ku vdiq rreshteri policor Afrim Bunjaku, ndërsa u plagën dy policë tjerë.
Nga MPJ e Gjermanisë është thënë se emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, do ta vizitojë Kosovën sot.
“Ne dënojmë në mënyrën më të fuqishme të mundshme, këtë sulm të tmerrshëm ndaj Policisë së Kosovës. Mendja jonë është me familjen e policit të vrarë dhe me të lënduarit. Grupet e armatosura ilegale duhet të ndalojnë së vëni jetët në rrezik. Kryerësit duhet mbajtur përgjegjës. Manuel Sarrazin udhëton sot në Kosovë”, ka shkruar MPJ e Gjermanisë në platformën “X”.
MPJ-ja e Austrisë për zhvillimet në veri: Autorët të sillen para drejtësisë
Ministria e Jashtme e Austrisë ka dënuar sulmin në veri të Kosovës ku u vra një polic dhe u plagosen dy të tjerë.
Përmes një postimi në Twitter ka deklaruar se dhuna duhet të ndalet menjëherë dhe autorët e sulmit duhet të sillen para drejtësisë.
“Fuqishëm e dënojmë sulmin ndaj zyrtarëve policorë në veri të Kosovës. Dhuna duhet të ndalet menjëherë dhe autorët e sulmit duhet të sillen para drejtësisë”, thuhet në njoftim.


