Presidentja e vendit Vjosa Osmani në një seancë plenare para deputetëve të Parlamentit Evropian të mërkurën në Strasbourg ka theksuar se Kosova është vendi më pro-evropian në Ballkanin Perëndimor, ndërsa një pjesë të fjalimit ua ka kushtuar dhe i ka cituar dy personalitete të vendit që kanë fituar çmimin Saharov.
Mes tjerash Osmani tha se Kosova ka histori të trishtë dhe sfiduese, por edhe vendosmëri për një të ardhme më të mirë.
Ajo e filloi fjalimin duke cituar presidentin Ibrahim Rugova dhe e përfundoj me një tjetër fitues të çmimit Saharov të BE-së, veprimtarin Adem Demaçi, i cili kaloi pothuajse 3 dekada të jetës së tij në burg vetëm pse u angazhua për Kosovën e lirë
“Fjalimin tim sot e nisa me Presidentin Rugova dhe dua ta përfundoj me një tjetër fitues të çmimit Saharov nga Kosova, Adem Demaçin, i cili kaloi gati 3 dekada të jetës së tij në burg për shkak të luftës së tij për një Kosovë të lirë ku respektohen të drejtat e njeriut, për të gjithë. Duke folur me rastin e marrjes së çmimit në vitin 1991, ai tha: “Duke më nderuar mua, ju po nderoni popullin e Kosovës, një popull paqedashës dhe liridashës që po kalon vuajtje të mëdha”.
Në këtë rast, Osmani ka falënderuar presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola dhe gjithë eurodeputetët që i kanë dhënë nderin e madh të jetë zëri i popullit të Kosovës para institucionit të çmuar të Bashkimit Evropian.
“Shpresoj që kjo seancë plenare të ketë shërbyer si një takim mendjesh, një ribashkim miqsh dhe një testament për atë që ne përpiqemi të bëhemi. Ndërsa synojmë për një të ardhme më të mirë dhe më të ndritshme për të gjithë, nuk duhet të harrojmë kurrë se nga kemi ardhur. Duhet të kujtojmë gjithmonë se si arritëm këtu dhe kush na qëndroi pranë në kohë gëzimi dhe pikëllimi”, tha ajo.
Presidentja Osmani tha se zgjodhi të të flas edhe për të kaluarën tonë, sepse ajo ka formësuar të tashmen dhe mbetet jetike teksa krijojmë të ardhmen tonë.
“Zgjodha të flas për vlerat e BE-së, sepse janë këto vlera që shërbejnë si busullë morale e jona dhe na udhëheqin ne dhe njerëzit tanë drejt majave më të larta të arritjeve njerëzore”.
Ajo tutje ka folur sot se sa shumë ndajmë me BE-në, si Kosova ashtu edhe Ukraina – sepse dy vendet, pavarësisht distancës, ndajnë një histori pikëllimi në tokën e përbashkët evropiane, por një të ardhme me potencial dhe mundësi të mëdha në familjen e përbashkët evropiane.
“Asgjë nuk e ilustron këtë më fuqishëm sesa ngjyrat e përbashkëta të flamujve tanë – e kaltërta dhe e verdha. Dy ngjyra që tregojnë një histori. Qielli blu dhe dielli i verdhë. Së bashku, këto ngjyra përfaqësojnë shpresën për një agim të ri. Për Ukrainën dhe për Kosovën, ai agim i ri është një paqe e drejtë dhe anëtarësim në Bashkimin Evropian. Për Evropën, është forca e shtuar nga aleancat e reja dhe uniteti. E kaltra dhe e verdha, ngjyrat e Kosovës, ngjyrat e Ukrainës, ngjyrat e Evropës, ngjyrat e lirisë”, është shprehur Osmani gjatë fjalimit të saj para eurodeputetëve.


