Pas hartimit nga Qeveria e Kosovës dhe kalimit të parë në legjislativ, sot është bërë edhe leximi i dytë i Projektligjit për paga në sektorin publik.
Ligji për Paga, i miratuar të enjten në Kuvendin e Kosovës, do të hyjë në fuqi vetëm një muaj pas publikimit në gazetën zyrtare, dhe jo tetë muaj siç ishte në draftligjin e mëparshëm, të cilin e pati rrëzuar Kushtetuesja, raporton KosovaNews.
Bazuar në praktikën dhe atë që është thënë nga zyrtarët e shtetit, Ligji i Pagave në sektorin publik pritet të jetë në fuqi nga muaji shkurt i vitit 2023.
Se ligji hyn së shpejti në fuqi e ka konfirmuar më parë edhe vetë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, i cili është marrë më këtë çështje.
Tani pas miratimit edhe në lexim të dytë, Ligji për paga shkon për dekretim te presidentja e më pas del në gazetën zyrtare. Pas daljes në gazetën zyrtare, sipas Dobrës, pas një muaji ligji hyn në fuqi.
“Kemi mbajtur takime të shpeshta brenda institucioneve, qoftë me Ministrinë e Financave e të tjera. Jemi takuar mbi 100 herë. Jam takuar edhe me sindikatat e ndryshme. Kemi marrë parasysh një numër të madh të komenteve t tyre. Ato që ishin të vlefshme i kemi akomoduar në projektligjin dhe si përfundim në diskutime edhe me MF-në, Thesarin, kemi arritur në përfundim që duhet ta shkurtojmë hyrjen në fuqi të projektligjit. Nuk do të jetë 8 muaj, por do të flasim për një muaj”, ka thënë Dobra ditë më parë në media.
Sipas Dobrës, ky projektligj sjell drejtësi në paga në sektorin publik. Ai ka thënë se vlera e koeficientit do të caktohet me ligj për buxhetin.
Që ligji të hyjë në fuqi më shpejtë ka kërkuar edhe opozita, e cila ka dhënë edhe disa vërejtje për ligjin në fjalë sidomos për moscaktimin e vlerës së koeficientit me vlerë monetare menjëherë tani gjatë miratimit.
Sido qoftë, kryeministri i vendit Albin Kurti në ditën kur Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për pagat, pati deklaruar se tani krijohet sistem i unifikuar i pagave për të gjithë personat që paguhen nga buxheti i shtetit.
“Ne jemi siguruar që të zvogëlohet dukshëm dallimi në mes pagës më të lartë dhe asaj më ulët, nga 20 herë sa është sot, në 4.78 herë midis kreut të shtetit dhe zyrtarit më thjeshtë në hierarkinë shtetërore”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë në ditën e miratimit të ligjit.
Mes tjerash çka parasheh Ligji i pagave?
Pagat e punëtorëve në Kosovë llogariten duke e shumëzuar koeficientin e pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit.
Në total janë 18 koeficiente.
Në projektligjin e miratuar më 23 nëntor të këtij viti, nuk përcaktohet vlera monetare e koeficientit, por thuhet se “vlera monetare e koeficientit përcaktohet me ligjin vjetor të buxhetit”.
Raporti i koeficienteve është 1:18.
Koeficientet sipas Ligjit të Pagave
Koeficienti më i lartë, 18, sipas projektligjit, i takon vetëm presidentit të Kosovës.
Niveli i koeficientit 17.5 i takon kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.
Koeficienti 17 i takon kryetarit të Kuvendit të Kosovës, si dhe kryeministrit.
Për mjekët specialistë, koeficienti është 12.
Mësimdhënësit në shkolla fillore dhe ato të mesme të ulëta, do të kenë koeficientin 5.6
Qëllim përcaktimi dhe rregullimi i sistemit të pagave
Projektligji për Pagat ka për qëllim kryesor përcaktimin dhe rregullimin e sistemit të pagave dhe shpërblimeve për të gjithë të punësuarit që përfitojnë pagë nga buxheti i Kosovës.
Nga kjo kategori e cila mbulohet me këtë projektligj, përjashtohet vetëm Agjencia Kosovare e Inteligjencës, për shkak të natyrës së saj të funksionimit./KosovaNews