Avokatura Shtetërore e Kosovës ka konfirmuar se ka ushtruar padi, më 2 gusht të këtij viti pranë Gjykatës Komerciale në Prishtinë, ndaj dy operatorëve ekonomikë, kompanisë së grurit nga Turqia “Yafe Turizm Insaat” dhe kompanisë së vajit nga Polonia “Xanto SP.Z.O.O”.
Padia ndaj dy kompanive është ushtruar pasi një pjesë e grurit, vajit dhe sheqerit që ishin blerë për rezerva shtetërore gjatë vitit 2022 ende nuk kanë ardhur në Kosovë. Dëmi ndaj buxhetit të shtetit, sipas Prokurorisë Speciale, është mbi 600 mijë euro.
“Referuar kërkesës suaj, ju informojmë se Avokatura Shtetërore ka iniciuar konteste gjyqësore – padinë në Gjykatën Komerciale në Prishtinë ndaj dy operatorëve ekonomikë, Yafe Turizm Insaat dhe Xanto SP.Z.O.O”, thuhet në përgjigjen e Avokaturës Shtetërore për Betimi për Drejtësi.
“Paditë janë dorëzuar më datë 02.08.2023”, thuhet më tej në përgjigjen e Avokaturës Shtetërore.
Deri tash janë tre të arrestuar për aferën e rezervave shtetërore, dy prej tyre zyrtarë të shtetit – Hafiz Gara, Irfan Lipovica dhe biznesmeni Ridvan Muharremi.
Prokuroria Speciale nisi më 18 gusht 2023, në orën 6 të mëngjesit aksionin për bastisjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë si dhe shkoi edhe te pronat e biznesmenit Ridvan Muharremi. Pas aksionit, dy zyrtarët e Ministrisë dhe biznesmeni u prangosën nën dyshimin për korrupsion dhe vepra tjera penale.
Ministrja Rozeta Hajdari ka thënë po atë ditë se dy zyrtarët e MINT janë të pafajshëm dhe se nuk kanë bërë kurrfarë shkeljesh ligjore derisa ka akuzuar Policinë se ka marrë kundërligjshëm dokumentet e rezervës shtetërore, duke rrezikuar kështu sigurinë kombëtare.



