Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini” ka thënë se Serbia, duke u pajtuar me Planin e BE-së, është angazhuar “që praktikisht ta njohë Kosovën dhe se po e kupton se është më e mira për të”.
Bislimi ka thënë se edhe Greqia duhet ta ndjekë këtë ritëm dhe të marrë hapa vendimtar.
“Ne do të donim të forconim miqësinë tonë me Athinën dhe kemi treguar durim duke kontribuar në këtë marrëdhënie edhe kur njohja nuk ishte në tryezë. Tani që Serbia është angazhuar praktikisht për të njohur Kosovën dhe ngadalë po kupton se është më e mira edhe për të, Athina duhet të përfitojë nga ky momentum për të ndërmarrë hapin vendimtar dhe për të forcuar përpjekjet tona të përbashkëta për stabilizimin e Ballkanit Perëndimor”, tha Bislimi.
Bislimi është pyetur edhe lidhur me shqetësimet që ka në Greqi për efektet që “njohja e Kosovës mund të ketë në lidhje me çështjen e Qipros.
“Është në interesin e Qipros që të bëjë sa më shumë që të jetë e mundur për të shmangur këto paralele”, tha Bislimi.
Lidhur me kursin evropian të Kosovës, pas aplikimit të fundit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Bislimi thotë se ajo që pret është që asnjë vend të mos e bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, gjë që edhe vetë Serbia tashmë ka rënë dakord.
Për vendin e tij ai shprehet në fakt se tashmë është pionier në Ballkanin Perëndimor për sa i përket disa treguesve ndërkombëtarë që lidhen me demokracinë, luftën kundër korrupsionit dhe lirinë e medias.
Bilsimi vlerëson se pesë shtetet e BE-së që ende se njohin Kosovësn do ta “rishikojnë pozitën e tyre”.
Bislimi ka shtuar se në “terminologjinë e BE-së tashmë ekziston termi Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor, që qartë tregon se e konsideron Kosovën si anëtare të ardhshme.
Por, Bislimi thotë se që kjo të ndodhë duhet të zbatohet Plani Evropian. Takimi i radhës i nivelit të lartë të dialogut Kosovë – Serbi i lehtësuar nga BE-ja, do të mbahet në Ohër më 18 mars.
“Tashmë ka një kornizë të përshtatshme për të cilën është rënë dakord të hënën në Bruksel dhe ne kërkojmë të punojmë mbi të. Kosova nuk do t’i shmangë përgjegjësitë e saj dhe do të sigurojë që të gjitha pakicat në Kosovë të jenë të sigurta”, tha Bislimi.