Zëvendëskryeministri i parë në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, po merr pjesë në ngjarjet që po organizohen në kuadër të ndarjes së çmimeve ndërkombëtare ‘Charlemagne’ në Aachen, ku ishte folës në panelin me titull: “Më shumë Evropë për një Evropë më të fortë?”.
Gjatë adresimit të tij dhe bashkëbisedimit, zëvendëskryeministri Bislimi tha se Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian, si orientim strategjik, ku gëzon edhe mbështetje të gjerë qytetare në këtë proces, gjersa bëri të ditur aplikimin në dhjetorin e vitit 2022 për marrjen e statusit të vendit kandidat.
“Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se vendi ynë meriton që aplikimi të trajtohet në mënyrë serioze dhe në baza meritokracie nga Bashkimi Evropian dhe të ndërmerren hapa konkrete në këtë drejtim, kur tashmë edhe kanë kaluar 9 vite të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit për Komunikim Publik.
Bislimi foli edhe mbi arritjet e qeverisë në zbatim të reformave e përafrimit me standardet evropiane, linjëzimin e Kosovës me politikën e jashtme të BE-së, punën e zhvilluar në lidhje me Planin e Rritjes, si dhe zhvillimin ekonomik dhe progresin në indikatorët demokratik që ka njohur vendi, të dëshmuar dhe nga matjet e ndryshme ndërkombëtare.
Zëvendëskryeministri Bislimi nënvizoi, gjithashtu, rëndësinë e zgjerimit të BE-së dhe nevojën për një rrugë të qartë drejt anëtarësimit për vendet të cilat kanë synim të bëhen pjesë e familjes evropiane.
Në kuadër të qëndrimit në Aachen, zëvendëskryeministri Bislimi do të marrë pjesë edhe në ceremoninë ku presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të vlerësohet me çmimin ndërkombëtar ‘Charlemagne 2025’.