Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka dekretuar emërimin e Vlora Hysenit në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit.
Në dekret theksohet se: Vlora Ramush Hyseni, emërohet në detyrën e drejtorit të Shërbimit Informativ të Shteit dhe se dekreti hyn në fuqi menjëherë.
Ndryshe javë më parë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar se ka propozuar Vlora Hysenin, si drejtore të Shërbimit Informativ Kombëtar.
“Sot i paraqita Presidentit të Republikës propozimin për emërimin e Znj.VLORA HYSENI drejtore e Shërbimit Informativ Kombëtar, me besimin e plotë se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që zonja Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar”, ka shkruar Rama.
Hyseni më parë ka udhëhequr një prej agjencive me të rëndësishme në Kosovë, atë të AKI-së.
Kujtojmë se Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kishin marrë vendim për ta shkarkuar Vlora Hysenin nga pozita e zëvendësdrejtoreshës së Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë në korrik të vitit 2021.