Skuadra e Bashkimit nga Prizreni është finalisti i dytë i play-off-it të Superligës së Kosovës në basketboll, pasi mposhti Pejën në një ndeshje tejet të tensionuar të enjten mbrëma në palestrën “Karagaçi”.
Bashkimi triumfoi me rezultat 84:78 në ndeshjen e katërt të serisë gjysmëfinale, duke e mbyllur atë me tri fitore të nevojshme për kualifikim në finale.
Ndeshja, megjithatë, nuk kaloi pa probleme. Në fillim të çerekut të katërt shpërthyen tensione kur një tifoz që ndodhej në parket e goditi me top basketbollistin amerikan të Bashkimit, Jayveous McKinnis.
Ky i fundit iu afrua tifozit, i cili reagoi duke e shtyrë atë. Situata eskaloi kur u përfshinë edhe lojtarë të tjerë dhe u krijua tollovi, por ndeshja u vazhdua pas largimit të tifozëve nga ajo zonë.
Incidentet nuk përfunduan me kaq. Tetë sekonda para përfundimit të takimit, në fushë u hodhën mjete shpërthyese, njëri prej të cilëve përfundoi shumë pranë këmbëve të basketbollistit Altin Morina. Ndeshja u ndërpre sërish dhe vazhdoi vetëm pasi të gjithë tifozët u larguan nga palestra.
Pavarësisht këtyre incidenteve, Bashkimi siguroi fitoren dhe një vend në finalen e madhe të kampionatit. Përballja finale pritet të sjellë edhe më shumë emocione, por mbetet për t’u parë nëse Federata e Basketbollit do të marrë masa për sigurinë në ndeshjet e ardhshme.