Prokuroria e shtetit ka ngritur aktakuzë ndaj pesë zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), të cilët dyshohen të jenë të përfshirë në keqpërdorime në fondin prej rreth 800 mijë euro që institucionet kishin ndarë për shënimin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
KosovaNews mëson se aktakuza është ngritur ndaj një ushtruesi të detyrës së sekretarit, një ish- sekretari, një drejtori, një çertifikuesi dhe një zyrtari tjetër.
Kujtojmë se në vitin 2018 në kohën kur kryeministër i vendit ishte Ramush Haradinaj, Qeveria kishte ndarë 600 mijë euro për shënimin e 10-vjetorit të Pavarësisë, kurse edhe rreth 200 mijë euro ishin ndarë për aktivitete tjera që ndërlidheshin me këtë ngjarje.
Këto mjete ishin ndarë nga Fondi i Rezervave dhe ishin deponuar te Ministria e Kulturës.