Një makinë e Policisë së Kosovës ka mbetur e bllokuar në mes të turmës së protestuesve në Zveçan.
Siç raporton REL, protestuesit e kanë penguar qarkullimin e një makine të Policisë së Kosovës.
Makina duket se është nisur drejt pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, por që mbeti e bllokuar pa mundësi lëvizjeje.
Makina më pas ka qarkulluar me ndihmën e pjesëtarëve të KFOR-it.
Në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, serbët po protestojnë duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale, si dhe praninë e Policisë së Kosovës.
Si pasojë e veprimeve të protestuesve kanë mbetur të lënduar disa policë dhe pjesëtarë të KFOR-it. Gjithashtu, janë djegur dhe dëmtuar vetura të Policisë së Kosovës dhe të mediave.
Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë.


