Deputeti i Partisë Guxo, Haxhi Avdyli ka reaguar lidhur me largimin e gurit të Pashkë Markut, gruas e cila kishte djegur veten pas kthimit të eshtrave të bijëve të saj të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Haxhiu tha se ndjehet i tronditur nga ky lajm dhe se para disa javëve së bashku më kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, kanë bërë homazhe te monumenti i Pashkë Markut.
Deputeti Haxhiu, tutje ka kërkuar nga kryeministri Kurti dhe organet e tjera shtetërore që të marrin masa për kthimin e këtij monumenti në vendin e tij.
“Shumë i tronditur nga ky lajm. Vetëm para disa javësh, mu te ky monument bëmë homazhe bashkë me Kryeministrin Albin Kurti në ditën e shkuarjes në amshim të nënës Pashke, simbolit të qendresën e sakrifices shqiptare.
Vendi ku ra nëna Pashke, nëna e djemve të vrarë e të zhdukur të masakres se Mejes, duhet të jetë vend i shenjtë, vend i mbrojtur nga shteti, vend ku gjeneratat e ardhshme do mësojnë historinë e dhimbshme të kombit tonë.
Bashkëndjej dhimbje e pezm me familjen e nderuar Marku por edhe me çdo patriot shqiptar.
Urgjentisht kërkoj nga KM Kurti e organet tjera shtetërore që të marrin masa që ky guri monument të kthehet në vendin e tij.
Nëse pronarit tokës i duhet kompensim për ata dy ari tokë, shteti ose edhe fund të fundit ne qytetarët do i mbledhim parat e tia paguajmë atë vlerë të tokës. Por asesi sduhet të lejojmë të nëpërkëmbet historia jonë e dinjiteti i sakrificës sonë si komb.”, ka shkruar Avdyli në facebook.