Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) dhe Këshilli i Nxënësve të Kosovës ka reaguar ndaj grevës së mësimdhënësve.
Sipas një komunikate të përbashkët, thuhet se nëse nuk fillon mësimi më 1 shtator, atëherë nxënësve po u mohohet e drejta themelore për arsim.
“Nëse sot më 1 shtator nuk fillon mësimi, rreth 320,000 nxënësve do t’i mohohet e drejta themelore për arsim. Në mesin e tyre, e drejta për arsim do t’i mohohet rreth 25,000 fëmijëve të cilët presin të ulen në bankat e shkollës për herë të parë. Mohimi i arsimit është shkelje e të drejtës themelore të fëmijës, e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës. KOMF i bën thirrje palëve në këtë proces të kenë konsideratë kryesore interesin më të mirë të fëmijës, të gjejnë një zgjidhje të përbashkët, pasi ndërprerja e arsimit dëmton më së shumti fëmijë”, thuhet në deklaratën e lëshuar për medie.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, ka thënë dje se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme së bashku me komunat dh tashmë është gjithçka gati që nesër të fillojë viti i ri shkollor.
Ajo ka thënë se greva e nisur nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (SBASHK) dëmton fëmijët, ndërsa u ka bërë thirrje mësimdhënësve ta konsultojnë legjislacionin në fuqi me grevat dhe të mos bien pre e presioneve.
Ministrja ka dhënë siguri se të gjitha kërkesat e stafit të mësimdhënësve janë marrë parasysh gjatë takimeve të përbashkëta dhe ato janë përfshirë edhe në Projektligjin për Paga, i cili tashmë është proceduar dhe së shpejti del në shqyrtim publik dhe mandej shkon për miratim në institucione.
Edhe Kryesia e Këshillit të Prindërve të Kosovës e ka cilësuar të papranueshme që më 1 shtator nxënësit të jenë në shtëpi, duke qenë se kjo është edhe një ditë feste.
Në një mbledhje të mbajtur të mërkurën Këshilli i Prindërve ka dalë me gjashtë konkluzione.
Ndonëse e ka quajtur të papranueshme që më 1 shtator fëmijët të jenë në shtëpi, Këshilli i Prindërve ka thënë se Qeveria është e obliguar ta mbrojë të drejtën për edukim dhe arsimim.
“Është e papranueshme që më datë 1 shtator fëmijët tanë nxënës janë në shtëpi, duke qenë se kjo është edhe një ditë feste. Fëmijët gëzojnë të drejtën kushtetuese për edukim dhe arsimim dhe Qeveria obligohet ta mbrojë këtë të drejtë”, deklaron këshilli i Prindërve.
Këshilli deklaron se greva e tërësishme dhe e pakufizuar në sistemin arsimor, është veprimi më ekstrem sindikal që godet drejtpërdrejt vetëm fëmijët e prindërit.