Policia e Kosovës ka njoftuar se e ka arrestuar një person me shtetësi të huaj, pasi dyshohej se ai tërhiqte para kundërligjshëm nga bankomatet në Kosovë.
Përsonit të arrestuar Policia e Kosovës ia ka sekuestruar 27 kartela të ndryshme bankare të dyshuara të klonuara dhe dëshmi të tjera.
“Më datë 03.09.2022, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar e Policisë së Kosovës, konkretisht Sektori për Hetime të Krimeve Kibernetike, është njoftuar nga njësiti patrullues i stacionit policor Jugu në Prishtinë, lidhur me ndalimin e një personi të dyshuar për keqpërdorim të kartelave bankare. Dyshohet se i njëjti me kartela të klonuara ka tentuar ose ka tërhequr para nga bankomatët e bankave të ndryshme në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Në cilësi të provave dëshmive materiale janë sekuestruar:
– Një telefon celular;
– Një SIM kartel;
– Para të gatshme 1200 euro;
– Rreth 387.02 Funta Anglez;
– 27 kartela të ndryshme bankare, të dyshuara të klonuara.
Bëhet e ditur se sipas detyrës zyrtare gjatë gjithë procesit ka qenë prezent avokati mbrojtës, ndërsa ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit.
Me vendim të Prokurorit i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe sipas rekomandimeve do të ndërmerren veprimet e mëtejme sipas proceduarve ligjore./KosovaNews/