Policia e Kosovës njofton se i ka arrestuar tri gra në Prishtinë nën dyshimin për mundësim ose detyrim në prostitucion, si dhe ofrim i lokaleve për prostitucion dhe bashkëkryerje.
Në raportin 24-orësh të enjten Policia, njoftoi se ato janë arrestuar mbrëmë në ora 19:35 në rrugën “Ali Vitia”, në Prishtinë, ku është bërë edhe një kontrollim i një lokali.
“Janë arrestuar tri të dyshuara femra, njëra shtetase e Kosovës dhe dy shtetase të Shqipërisë, nën dyshimin se kanë kryer veprat e cekura penale. Lidhur me rastin është kontrolluar edhe një lokal dhe në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: tre telefona celularë dhe një fletë me shënime”, thuhet në raport.
Bëhet e ditur se të dyshuarat pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, deri në marrjen e një vendimi tjetër nga organet e drejtësisë.
Ky rast vazhdon të hetohet nga njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës./KosovaNews/


