Policia ka njoftuar për rastin e një grabitjeje të ndodhur dje në rrugën “Fehmi Agani’’ në Gjilan janë arrestuar dy të dyshuar.“Hetuesit policor nga Stacioni Policor i Gjilanit pas një pune mirë të organizuar dhe informatave të pranuara përmes rrugëve operative kanë arrit sot me datë: 10 korrik 2023 që ti lokalizojnë dhe rrjedhimisht ti arrestojnë dy të dyshuar shtetas të Kosovës një burrë (2003) dhe një grua (2004), ndërsa personi i tretë i cili dyshohet të jetë i përfshirë në këtë rast i njohur për policinë është në kërkim”- thuhet në njoftimin e Policisë.Sipas Policisë, nga hetimet e para dyshohet se e dyshuara ka qenë e angazhuar për t’u kujdesur për viktimën e moshuar.Tutje sipas Policisë, të dyshuarit pas arrestimit janë intervistuar në bazë të procedurave ligjore, prokurori i shtetit është njoftuar për rastin dhe të njëjtin e ka cilësuar si grabitje.
Tutje në njoftim bëhet e ditur se me vendim të prokurorit të shtetit ndaj dy të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.Grabitja kishte ndodhur të dielën rreth orës 04:00 në mëngjes dhe në bazë të hetimeve preliminare dyshohet se persona të maskuar kanë hyrë në shtëpinë e viktimës, i moshës rreth 81-vjeç, shtetas i Kosovës, të cilin e kanë sulmuar duke i shkaktuar lëndime trupore.Sipas Policisë, viktima i lënduar ishte gjetur nga fqinjët e tij dhe me urgjencë është dërguar në spital për ndihmë mjekësore.Tutje Policia sqaron se viktimës i ishin grabitur dy telefona mobilë dhe 70 euro.


