Kombëtarja e Anglisë dhe ajo e Italisë kanë shënuar fitore, në ndeshjet e Grupit C në kualifikime për Kampionatin Evropian 2024.
Anglia triumfoi 2:0 kundër Maltës, në stadiumin “Wembley” në Londër.
Autogoli i Pepes në minutën e 8-të i dha epërsinë “Tre Luanëve” në këtë përballje.
Goli i dytë u realizua nga sulmuesi Harry Kane, 15 minuta para fundit të kohës së rregullt.
Anglia me këtë fitore siguroi vendin e parë në grup me 19 pikë, gjashtë më shumë se vendi i dytë dhe i tretë.
Fitore ka marrë edhe Italia në këtë grup, që triumfoi 5:2 ndaj Maqedonisë së Veriut në stadiumin “Olimpico” në Romë.
Darmian, Raspadori, El Shaarawy me nga një gol, Chiesa me dy gola ishin realizatorët e golave në fitoren e Italisë.
Ndërkaq, për Maqedoninë e Veriut shënoi dy gola Atanasov, ndërsa u shërbye në dy golat nga futbollistët shqiptarë, Alioski e Bardhi.
Italia është e dyta me 13 pikë, po aq sa ka edhe Ukraina në vendin e tretë. Maqedonia e Veriut ka shtatë pikë në pozitën e katërt.