Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, ka përkujtuar babain e tij, veprimtarin e Lëvizjes Kombëtare Ukshin Hoti, në 24-vjetorin e zhdukjes.
Hoti përmes një postimi në Facebook, tha se edhe pse ai nuk arriti të bëhej udhërrëfyes i jetës së të birit, u bë udhërrëfyes i popullit shqiptar.
“Nuk e pata fatin që të bëhesh udhërrëfyes i jetës time, por Ti u bëre udhërrëfyes i fatit të popullit tonë. 24 vjet dhimbje pa ty, 24 vjet me krenarinë që rritet çdo ditë”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Më 16 maj të vitit 1999 në rrethana ende të pandriçuara është zhdukur Ukshin Hoti.
Veprimtari i mirënjohur i Lëvizjes Kombëtare, profesori Ukshin Hoti u lind më 17 qershor të vitit 1943 në fshatin Krushë të Madhe të Rahovecit. Ishte profesor, shkrimtar, filozof, intelektual, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare gjatë viteve 1981-1999.
Ukshin Hoti ka qenë edhe ligjërues ne disa universitete të Amerikës ku dhe kishte studiuar dhe diplomuar.
Për aktivitetin e tij atdhetar ishte arrestuar disa herë nga regjimi serb i Titos dhe i Milosheviqit.
Për herë të fundit ishte arrestuar në vitin 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të veprimtarisë armiqësore kundër Jugosllavisë dhe për pjesëmarrjen e tij në lëvizjen për Republikën e Kosovës, me ç’rast ishte dënuar 5 vjet burg.
Më 16 maj të vitit 1999 pas lirimit dhe pas daljes nga qelia e burgut të Dubravës, zhduket nga polica serbe pa lënë gjurmë.
Shokët e burgut, ata që kanë shpëtuar nga masakra e Dubravës, disa ditë më vonë, kanë treguar se Ukshini ishte liruar nga burgu më 16 maj, ditën e diel, ditë që nuk praktikohej lirimi i të burgosurve.
Prej asaj kohe e deri tani, veprimtari i madh i çështjes kombëtare shqiptare, filozofi, shkrimtari, publicisti, atdhetari i përkushtuar, Ukshin Hoti edhe sot e kësaj dite konsiderohet ende i zhdukur.


