Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka realizuar një aksion në katër lokacione të ndryshme në kryeqytet, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.
Sipas njoftimit zyrtar, aksioni u zhvillua pas hetimeve disa mujore, me dyshimin se të dyshuarit kanë kryer veprat penale të falsifikimit të dokumenteve, legalizimit të përmbajtjes së rreme dhe mashtrimit, duke shkaktuar dëm material në vlerë prej disa milionë eurosh.
Gjatë këtij operacioni u arrestuan dy persona të gjinisë mashkullore, V.H. – avokat, dhe D.I. – instruktor, të cilët dyshohen se kanë falsifikuar dhe legalizuar dokumente me qëllim përfitimi pasuror, duke mashtruar qytetarë të ndryshëm.
“I dyshuari kryesor në këtë rast V.H – Avokat dhe i dyshuari D.I – Instruktor dyshohen se me qëllim që vetit t’i sjellin dobi pasurore kanë falsifikuar dokumentin, kanë legalizuar dokumente të falsifikuara dhe kanë mashtruar persona të ndryshëm duke shkaktuar dëm disa milionësh”, thuhet në njoftim.
Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Po ashtu, gjatë kontrollit janë sekuestruar dokumentacione që lidhen me rastin.