Një arsimtare e matematikës me emrin Remzie Lezi, e cila është e angazhuar në një shkollë të komunës së Suharekës, është përjashtuar nga e drejta për ta ushtruar profesionin e saj, për shkak të vendosjes së shamisë.
Sipas një dokumenti të publikuar në rrjete sociale, Drejtori dhe Këshilli Drejtues i Shkollës ka vendosur në mënyrë unanime, që mësimdhënëse Lezi të përjashtohet nga shkolla.
“Duke u mbështetur në UA NR 03/2016, neni 3 pika 7, që ndalon bartjen e uniformës fetare, i gjithë Këshilli unanimisht vendosi, që nuk i lejohet arsimtares së matematikës, z. Remzie Lezi të ushtrojë profesionin e mësuesisë në shkollën tonë me uniformë fetare”, thuhet në dokumentin që mban edhe nënshkrimin e drejtorit të shkollës.
Mirëpo vendimi i tillë, duke u mbështetur në Udhëzimin Administrativ (UA 03/2016) dhe nenin 3 e pikën 7, është përdorur krejt gabim nga drejtori dhe Këshilli Drejtues i shkollës, shkruan KosovaNews.
UA 03/2016 (neni 3, pika 7), s’ka lidhje me shaminë
UA 03/2016 (neni 3, pika 7), nuk kanë të bëjnë aspak dhe asgjë me shaminë dhe mundësinë që të merren vendim për përjashtimin e punonjësve nga puna.
UA 03/2016 (neni 3, pika 7), thotë si në vijim: “Me rastin e formimit të Këshillit Drejtues të Shkollës (KDSh) duhet konsideruar barazinë gjinore”.
Por në gjithë nenin 3 nuk flitet askund çështjen e shamisë dhe mundësisë e kompetencave për përjashtim të dikujt nga puna.
Neni 3 flet kryesisht për përbërjen e Këshillit drejtues të shkollës, si e kush mund të bëhet anëtar dhe procedurat që duhet ndjekur.

Reagon ministrja Arbërie Nagavci
E ndaj këtij vendimi ka pasur reagime të shuma, por sot fjalën e saj për këtë çështje e ka dhënë edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci.
Në një prononcim për KosovaNews Nagavci ka thënë se ky vendim si i tillë s’ka asnjë bazë ligjore dhe s’prodhon asnjë efekt juridik.
“Nuk e di a është e vërtetë se ekziston kjo mësuese dhe se dikush ka marrë këtë vendim, por nëse po, kjo s’ka asnjë efekt juridik. UA 03/2016 (neni 3, pika 7), thotë si në vijim: Me rastin e formimit të Këshillit Drejtues të Shkollës (KDSh) duhet konsideruar barazinë gjinore. Pra, ky vendim s’ka asnjë bazë ligjore dhe s’prodhon asnjë efekt juridik”, ka thënë për KosovaNews, ministrja Nagavci.

Mësueses Remzije Lezi nga Reshtani i Suharekës dje i është shqiptuar vendimi për moslejimin e ushtrimit të profesionit të saj si mësuese pranë shkollës “Flamuri i Arbërit”, për siç thuhet “shkak të shamisë”.
Vendimi i marrë më 26 gusht ndaj mësueses së matematikës dhe aty thuhej se se i gjithë Këshilli unanimisht vendosi, që nuk i lejohet arsimtares së matematikës, Remzie Lezi të ushtrojë profesionin e mësuesisë në shkollën tonë me uniforme fetare.