Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), do të marrin pjesë në vazhdimin e seancës konstituive e cila është thirrur nga kryesuesi i seancës, deputeti i Lëvizjës Vetëvendosje (LVV), Avni Dehari, për të mërkurën nga ora 11:00.
Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, në një deklarim pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së dhe Grupit Parlamentar, që është mbajtur sot ka konfirmuar se deputetët e partisë së tij do të jenë të pranishëm në vazhdimin e seancës.
Hamza ka shprehur shpresën se kjo thirrje do të çojë drejt konstituimit të Kuvendit.
Ai uroi që vazhdimi i seancës të mos përfundojë pa rezultat dhe që Kuvendi të arrijë të konstituohet.
Edhe LDK-ja ka vendosur që të qëndrojë në seancën e thirrur më 9 shtator. Këtë e ka konfirmuar deputetja Jehona Lushaku, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar.
Ka deklaruar se vendimin për pjesëmarrje në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës e kanë marrë si grup.
“Vendosëm si grup që të marrim pjesë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës dhe t’i kontribuojmë konstituimit të Kuvendit meqë Kosova është në një fazë të rëndësishme për themelimin e institucioneve dhe funksionalitetin e saj prandaj ne kemi bërë thirrje që të konstituohet Kuvendi sa më parë të jetë e mundshme dhe institucioneve t’u kthehet funksionaliteti i tyre. Prandaj kemi vendosur që të marrim pjesë në seancë dhe të japim kontributin tonë për t’i dhënë institucione Kosovës”, ka thënë ajo.
Sa i përket çështjes së presidentit, Lushaku ka thënë se nuk është diskutuar për këtë temë.
Deputetët e zgjedhur në qershor, pritet të mblidhen më 9 shtator për të vazhduar seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, në përpjekje për t’i dhënë fund krizës politike e cila ka mbi një vit që zgjat dhe për të hapur rrugën për formimin e institucioneve të reja.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi të premten e javës që shkoi se seanca e ndërprerë muajin e kaluar do të vazhdojë të mërkurën në orën 11:00.
Dehari e arsyetoi vendimin me marrëveshjen e arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje, të drejtuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, lidhur me kandidatin për president të Kosovës.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse seanca e 9 shtatorit do të mjaftojë për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, pavarësisht marrëveshjes së arritur mes LVV-së dhe LDK-së.
Në fillim të javës që shkoi kryetari i LVV-së Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u pajtuan që diplomati dhe juristi kosovar, Bekim Sejdiu, të jetë kandidat për presidentin e ardhshëm të Kosovës.
Por kandidatura e Sejdiut është kundërshtuar nga gjashtë deputetë të LDK-së, duke vënë në pikëpyetje mundësinë e zgjedhjes së tij.

