Policia e Kosovës ka hartuar planin operativ për garantimin e sigurisë gjatë festivalit “Sunny Hill 2026”, i cili do të mbahet nga sot 31 korrik deri më 2 gusht në fshatin Bërnicë të Komunës së Prishtinës.
Sipas njoftimit të Policisë të datës 31.07.2026, për mbarëvajtjen e festivalit do të angazhohet një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve policorë, me detyra specifike në zonën ku do të zhvillohet ngjarja, si dhe në zonat përreth.
Masat e planifikuara përfshijnë ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, sigurimin e hapësirës së festivalit, menaxhimin e trafikut, monitorimin e situatës në terren dhe ndërmarrjen e masave ligjore ndaj personave që mund të shkelin ligjin.
Policia ka bërë të ditur se, për shkak të fluksit të madh të automjeteve dhe pjesëmarrësve, mund të ketë bllokime të përkohshme ose të pjesshme të rrugëve që çojnë drejt zonës së festivalit, si dhe ridrejtim të trafikut.
Qytetarëve që do të marrin pjesë në festival u është bërë thirrje të shfrytëzojnë transportin e organizuar nga organizatorët, nga kryeqyteti drejt hapësirës së festivalit dhe anasjelltas.Sipas Policisë, në zonën e festivalit do të lejohen vetëm automjetet e autorizuara dhe personat me leje parkimi, ndërsa pjesëmarrësit do të udhëzohen nga zyrtarët policorë në pikat e caktuara.
“Masat dhe angazhimet e parapara janë në funksion të sigurisë publike dhe mirëqenies së qytetarëve”, – thuhet në njoftimin e Policisë, e cila ka kërkuar bashkëpunim dhe respektim të udhëzimeve gjatë gjithë kohëzgjatjes së festivalit.


