Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka mirëpritur aksionin e përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, i cili çoi në arrestimin e katër personave të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ndërmjetësim të paligjshëm.
Sipas Sveçlës, në mesin e të arrestuarve janë dy zyrtare të Divizionit për të Huaj, një zyrtare e Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe një shtetas i huaj, për të cilët ekziston dyshimi se, duke shfrytëzuar funksionet e tyre zyrtare dhe ndërmjetësuese, kanë ofruar shërbime duke anashkaluar procedurat ligjore me qëllim të përfitimit financiar.
Ministri theksoi se institucionet do të vazhdojnë të jenë të përkushtuara ndaj parimeve të integritetit, ligjshmërisë dhe llogaridhënies së çdo zyrtari publik.
“Çdo dyshim për keqpërdorim të detyrës zyrtare, korrupsion apo cenim të besimit të qytetarëve do të trajtohet me seriozitet të plotë dhe në bashkëpunim të ngushtë me institucionet përgjegjëse të sigurisë dhe drejtësisë”, ka deklaruar Sveçla.
Ai shtoi se luftimi i korrupsionit dhe garantimi i integritetit institucional mbeten parakushte thelbësore për ofrimin e shërbimeve të drejta, efikase dhe transparente për qytetarët.
“Askush nuk do të lejohet të përdorë pozitën zyrtare për përfitime personale në dëm të interesit publik dhe të drejtave të qytetarëve për trajtim të barabartë para institucioneve”, ka theksuar ministri Sveçla.


