Sekretarja e Partisë Guxo, Triera Kasumi-Berisha, ka thënë se qytetari i mençur i Kosovës do t’i mbajë mend jo vetëm emrat, por edhe të bëmat e personave që u larguan nga partia ditëve të fundit për t’iu bashkuar listës së Vjosa Osmani.
Në një shkrim në Facebook të premten, ajo ka thënë se largimet e fundit nga Guxo ngjajnë shumë me largimet nga Lëvizja Vetëvendosje në vitin 2018. Sipas saj, ndryshojnë emrat, por jo qëllimi.
“Këto largimet e pritura nga Guxo me ritmin “nga një largim në ditë”, për nga forma dhe narrativi po ngjajnë jashtëzakonisht shumë me skenarin e largimeve nga LVV në janarin e vitit 2018. Ndryshojnë emrat e protagonistëve, por jo metoda dhe qëllimi. Sidomos jo qëllimi. Për Partinë Guxo, vetëm 3 probleme më pak. Me datën 7 qershor, qytetari i mençur i kësaj Republike, jo vetëm emrat por edhe ‘’bëmat’’ do ju mbajë mend”, ka shkruar Kasumi-Berisha.
Haxhi Avdyli, Albena Reshitaj e Jeta Statovci janë emrat që braktisën Partinë Guxo për t’u bashkuar me Osmanin për zgjedhjet e 7 qershorit.


