Ndërsa numërimi mbrapsht për finalen historike të play-off-it për Botërorin 2026 ka filluar, në Turqi ka shpërthyer një debat i nxehtë që pasqyron frikën dhe pendimin e tyre më të madh.
Media prestigjioze turke, Yeni Şafak, ka publikuar një analizë ku shprehet dëshpërimi i thellë që lejuan yllin e Kosovës, Vedat Muriqin, t’u ikte nga duart vite më parë.
Mungesa e një sulmuesi tipik dhe sistemi “pa kokë”
Turqia siguroi finalen pas fitores 1-0 ndaj Rumanisë, por vështirësitë për të gjetur rrjetën kanë ndezur alarmin.
Trajneri Vincenzo Montella po detyrohet të luajë me sisteme pa një sulmues klasik, duke improvizuar me Kerem Aktürkoglu-n. Kjo mungesë e një “bomberi” fizik në zonë po konsiderohet si pika më e dobët e turqve pikërisht para përballjes me “Dardanët”.
Muriqi: Nga mundësia e humbur te makthi i finales
Artikulli vë në dukje se Vedat Muriqi, i cili shpërtheu në futbollin turk me Rizesporin dhe Fenerbahçen, dikur kishte mundësinë të vishte fanellën e Turqisë.
Megjithatë, për shkak të neglizhencave teknike dhe vonesave procedurale nga zyrtarët turq të asaj kohe, Muriqi zgjodhi me zemër Kosovën.
Sot, kur “Pirati” po shkëlqen në La Liga me Real Mallorca dhe po udhëheq sulmin e Kosovës, në Turqi ai është shndërruar në “simbolin e një mundësie të humbur”.
Analistët turq vlerësojnë se fuqia fizike dhe dominimi në ajër i Muriqit është pikërisht ajo që i mungon kombëtares së tyre për të siguruar biletën drejt Amerikës.
“Sikur ta kishim vlerësuar në kohë…”
Sipas mediave turke, pyetja që po mundon opinionin sportiv atje është: “ Pse nuk e vlerësuam?”.
Për Turqinë, dosja “Muriqi” është e mbyllur, por ironia e fatit bën që pikërisht njeriu për të cilin po pendohen, mund të jetë ai që do t’ua shuajë ëndrrën këtë të martë në “Fadil Vokrri”.
Përballja e zjarrtë mes Kosovës dhe Turqisë zhvillohet këtë të martë nga ora 20:45, ku fituesi do të sigurojë kualifikimin historik në Kampionatin Botëror 2026.



