Akademia e Forcave të Armatosura të Shqipërisë ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme në fushën e arsimit të lartë dhe formimit profesional, pasi programi i Masterit Profesional “Siguria Kibernetike” është akredituar me vlerësimin maksimal “Ekselent”, duke përfituar maksimumin e viteve të akreditimit, deri në vitin 2031.
Programi zhvillohet pranë Departamentit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit dhe përbën të vetmin program në Republikën e Shqipërisë në fushën e sigurisë kibernetike që ka marrë vitet maksimale të akreditimit.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ky vlerësim pasqyron standardet e larta akademike të programit, përputhjen me kërkesat bashkëkohore të tregut dhe me nevojat strategjike të sigurisë kombëtare, si dhe cilësinë e stafit akademik dhe infrastrukturës mbështetëse.
Akreditimi me vlerësimin “Ekselent” përforcon rolin e Akademisë së Forcave të Armatosura në ndërtimin e kapaciteteve kombëtare në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe në përgatitjen e burimeve njerëzore të specializuara në një nga sektorët më kritikë të kohës, atë të sigurisë kibernetike.


