Me 90 vota pro, 1 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar rezolutën për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë. Rezuluta është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës. LDK-ja nuk ka votuar, ndërsa Lista Serbe e ka lëshuar sallën.
Rezoluta është si më poshtë:
KËRKON nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që, në ushtrimin e funksioneve të tyre, të sigurojnë zbatimin me përpikëri të standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare lidhur me një proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm, duke respektuar gjithashtu parimet e transparencës, llogaridhënies dhe kultivimit të besimit të publikut në drejtësi.
KËRKON nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që, në ushtrimin e funksioneve të tyre, të sigurojnë zbatimin me përpikëri të standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare lidhur me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të të akuzuarve, përfshirë edhe detyrimet që burojnë nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
KËRKON nga Ombudspersoni i Dhomave të Specializuara, përgjegjësia ekskluzive e të cilit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar buron nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që të veprojë me pavarësi dhe paanësi të plotë në ushtrimin e këtij funksioni, në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe aktet e standardeve ndërkombëtare lidhur me këtë funksion.
INKURAJON të gjitha shtetet demokratike, përfshirë ato financuese dhe mbështetëse të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, të bashkohen në thirrjen tonë për respektimin e plotë të standardeve ndërkombëtare për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm – standarde këto që burojnë nga tradita kushtetuese e të gjitha shteteve demokratike dhe akteve e rekomandimeve të miratuara nga mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë, por pa u kufizuar, nga Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.
INKURAJON mekanizmat monitorues për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore në kuadër të organizatave ndërkombëtare, si dhe organizatat joqeveritare ndërkombëtare e vendore, për monitorim të shtuar të pajtueshmërisë së funksionimit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore në procese gjyqësore dhe raportimin e shkeljeve të evidentuara.
KONFIRMON zotimin dhe përkushtimin për sigurimin e të gjitha mekanizmave, përfshirë ato financiare, në mbështetje të të drejtave të mbrojtjes së udhëheqësve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës para Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe Dhomave të Specializuara.
KONFIRMON zotimin dhe përkushtimin e plotë për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve për afirmimin e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shenjtërisë së historisë mbi të cilën është ndërtuar Republika e Kosovës.
Nis seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës (VIDEO)
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka hapur punimet e seancës së jashtëzakonshme plenare ku janë të pranishëm 110 deputetë të legjislaturës së dhjetë.
Haxhiu ka njoftuar se presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka ndërmarrë hapat ligjor për zëvendësimin e deputetëve të cilët janë pjesë e kabinetit qeveritar dhe do të mbajnë postin e ministrave.
U betuan 18 deputetët e rinj që kanë zënë vende në parlament, pas emërimit të disa deputetëve ministra.
Zëvendësimet janë si më poshtë:
Bajram Mavriqi, Luan Aliu, Driton Hyseni, Enver Dugolli, Ejup Ahmeti, Avdullah Klinaku, Mytaher Haskuka, Bylbyl Sokoli, Ilir Qeriqi, Mimoza Shala, Egzon Azemi, Fahrush Rexhepi, Arijeta Rexhepi, Shqipe Isufi, Afërdita Hajrizi,
Ndërsa, nga Iniciativa e Re Demokratike: Fridon Lala Dhe Lazar Raduloviq nga Za Slobodu Pravdu i Opstanak. Po ashtu Bahrim Shabani nga Koalicioni Vakat.


