Ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, ka mbështetur thirrjet që tifozët të mos udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara për Kupën e Botës, për shkak të shqetësimeve serioze për sigurinë.
Blatter ka përkrahur deklaratat e juristit, Mark Pieth, i cili ka punuar më herët me FIFA-n. Ai ka thënë se tifozët duhet të shmangin udhëtimin drejt SHBA-së gjatë turneut. Pieth kishte përmendur si arsye vrasjen e protestueses Renee Good nga një agjent amerikan i emigracionit në Minneapolis, si dhe një rast tjetër të fundit të një qytetari amerikan. Ai ka thënë se situata politike dhe mënyra e veprimit të autoriteteve nuk i inkurajon tifozët të udhëtojnë.
“Mendoj se Mark Pieth ka të drejtë ta vërë në pikëpyetje këtë Botëror”, ka shkruar Blatter në rrjetet sociale.
Kupa e Botës do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik dhe do të organizohet bashkërisht nga SHBA-ja, Kanadaja dhe Meksika.
Blatter ishte larguar nga posti i presidentit të FIFA-s në vitin 2015 pas skandaleve të shumta, ndërsa aktualisht federata drejtohet nga Gianni Infantino.


