Republika e Kosovës dhe Komonuelthi i Bahamasit kanë nënshkruar marrëveshjen për heqjen reciproke të vizave për qytetarët e të dyja vendeve. Kjo marrëveshje shënon një tjetër hap të rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, pas njohjes së fundit të Kosovës nga Bahamasi.
Marrëveshja u vlerësua si një lajm i mirë për qytetarët e Kosovës, duke lehtësuar lëvizjen e lirë dhe duke hapur mundësi të reja bashkëpunimi në fusha të ndryshme.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në detyrë, Donika Gërvalla-Schwarz, tha se kjo marrëveshje është dëshmi e forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
“Heqja reciproke e vizave me Bahamasi është një hap konkret drejt thellimit të marrëdhënieve tona dypalëshe dhe një tjetër sukses diplomatik për Republikën e Kosovës, pas njohjes së fundit nga ky shtet mik,” u shpreh ministrja Gërvalla.
Ajo theksoi se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë angazhimin për forcimin e partneriteteve ndërkombëtare dhe avancimin e pozitës së Kosovës në arenën globale.


