Komandanti i KFOR-it, gjenerali Ozkan Ulutash, është takuar me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, me të cilin ka shkëmbyer pikëpamje rreth situatës së sigurisë në Kosovë dhe përmirësimit të mëtejshëm të komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet KFOR-it dhe Policisë së Kosovës.
Sipas njoftimit të KFOR-it, gjatë takimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit të vazhdueshëm institucional në funksion të garantimit të sigurisë dhe stabilitetit.
Gjenerali Ulutash ka ritheksuar angazhimin e palëkundur të KFOR-it për të vazhduar kontributin e tij në ruajtjen e sigurisë në të gjithë Kosovën dhe në rajon.
“Ata shkëmbyen pikëpamje mbi situatën e sigurisë në Kosovë dhe mbi përmirësimin e mëtejshëm të komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet KFOR-it dhe Policisë së Kosovës. Gjenerali Ulutash theksoi angazhimin e palëkundur të KFOR-it për të vazhduar të kontribuojë në sigurinë në të gjithë Kosovën dhe rajonin e gjerë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Misioni i NATO-s në Kosovë ka përsëritur se vazhdon të zbatojë mandatin e tij për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët dhe për garantimin e lirisë së lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
Po ashtu, në njoftim theksohet se KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), në përputhje me rolet e tyre si reagues të sigurisë.


