Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka reaguar fuqishëm pas përhapjes së dy manipulimeve të reja në rrjete sociale, ku përmes fotografive dhe dokumenteve të fabrikuara me inteligjencë artificiale synohej diskreditimi i kryeministrit Albin Kurti, transmeton KosovaNews.
Reagimi i parë i Manxhukës nisi pas një postimi të rremë të qarkulluar në emër të UÇK-së, ku pretendohej se Albin Kurti ishte liruar nga burgu i Nishit me vendim të ish-presidentit serb, Vojisllav Koshtunica.
Ky pretendim u shoqërua me një fotografi të krijuar tërësisht me inteligjencë artificiale dhe me një dokument të falsifikuar që paraqitej si vendim zyrtar.
“E pavërtetë. Fotografia është tërësisht e bërë me inteligjencë artificiale.”, ka shkruar Manxhuka në Facebook.
Ai theksoi se problemi kryesor nuk është vetëm shpifja ndaj Kurtit, por përdorimi abuziv i emrit dhe logos së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të shpërndarë manipulime të tilla.
“Lajmi këtu nuk qëndron te shpifja në postim, por te ky lloj keqpërdorimi nga ndonjë individ i kësaj logoje të shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare dhe emrit të saj në këtë mënyrë.”
Fotografia e publikuar, ku paraqitet Albin Kurti teksa shtrëngon duart me Koshtunicën, është identifikuar si produkt i inteligjencës artificiale, me elemente vizuale të paqëndrueshme dhe jo autentike.
Ndërkaq, menjëherë pas kësaj, Manxhuka ka demantuar edhe një tjetër fotografi të përpunuar me inteligjencë artificiale, kësaj radhe të publikuar nga faqja “Skenderaj Press”, ku pretendohej se në imazh paraqitej Albin Kurti së bashku me dy figura politike nga Serbia. Mbi foto ishte vendosur shenja “E pavërtetë”.
Manxhuka theksoi se edhe ky publikim është mashtrim dhe pjesë e të njëjtit zinxhir dezinformatash që po qarkullojnë ditëve të fundit.
“Fake newsi vazhdon”, ka shkruar ai, duke demantuar postimin.
Ai paralajmëroi se po qarkullojnë materiale të krijuara ose të manipuluara përmes teknologjive grafike dhe inteligjencës artificiale, me qëllim të dëmtojnë figurën e Kurtit dhe të krijojnë konfuzion te qytetarët.
Këto raste ka ngritur shqetësime për përhapjen e dezinformatave në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit./KosovaNews/


