Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se hetimet ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, janë të ndikuara, të motivuara politikisht, dhe ngritja e aktakuzës ndaj saj e vërteton këtë.
“Kaherë kemi theksuar se hetimet ndaj Ministres Hajdari janë të ndikuara, dhe ngritja e aktakuzës ndaj saj e vërteton këtë. Ministrja Hajdari as nuk është e korruptuar, as nuk ka keqpërdorur ndonjëherë detyrën e saj zyrtare. Për këtë rast jam e njoftuar në çdo detaj, pasi edhe Avokatura Shtetërore ka qenë e përfshirë me qëllim të mbrojtjes së interesit publik,” tha Haxhiu.
Sipas saj, aktakuza është e motivuar politikisht, pa bazë reale dhe e qëllimshme, ndërsa thekson se ministrja në detyrë Hajdari, ka vepruar gjithmonë për të mbrojtur interesin e vendit dhe për të siguruar rezervat shtetërore, ndryshe nga qeveritë e kaluara.
“Është e qartë se ekziston një tendencë për të njollosur figurën e saj. Drejtësia duhet të mbështetet në fakte dhe në punën e bërë, e jo në ndikime apo qëllime politike”, theksoi Albulena Haxhiu.


