Gjendja e rrugës “Behamir Memaj” në lagjen “Jeta e Re” të Prizrenit po shkakton shqetësim të madh tek banorët dhe prindërit e nxënësve të shkollës fillore “Haziz Tolaj”, raporton KosovaNews.
Përmes fotografive të dërguara në adresën e KosovaNews, qytetarët kanë treguar për situatën alarmante në këtë rrugë, e cila prej kohësh është lënë pa asnjë mirëmbajtje.

Në pamjet e dërguara shihet rruga e mbuluar me baltë, gropa të thella dhe ujë të grumbulluar, që e bëjnë kalimin pothuajse të pamundur, sidomos për fëmijët që çdo ditë shkojnë në shkollë.
Sipas banorëve, kjo rrugë çon drejt njërës prej shkollave më të frekuentuara të qytetit, ndërsa përmes saj kalojnë rreth 200 nxënës çdo ditë, duke u përballur me rrezik real për sigurinë dhe shëndetin e tyre.

Megjithëse rruga është në proces gjyqësor, banorët kujtojnë se ajo është mirëmbajtur disa herë më parë nga Komuna e Prizrenit – prandaj sipas tyre, justifikimi për mosveprim është i papranueshëm.
Ata fajësojnë kryetarin Shaqir Totaj për mungesë reagimi dhe për neglizhencë të plotë ndaj problemeve bazike të qytetarëve.

“Rruga është e pakalueshme. Komuna e ka mirëmbajtur edhe më herët, pse jo tani? Kjo është shpërfillje ndaj fëmijëve tanë”, ka thënë njëri nga banorët përmes mesazhit të shoqëruar me fotografi.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga Komuna, të paktën me masa minimale të mirëmbajtjes, derisa të përfundojë procesi gjyqësor.
Sipas tyre, përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi administratën komunale dhe vetë kryetarin Totaj, që sipas qytetarëve “ka harruar lagjet që nuk i viziton kamerat”.



