Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka premtuar mbështetjen për rindërtimin e infrastrukturës së futbollit në Gaza, si pjesë e përpjekjeve më të gjera për rindërtimin pas luftës, pas samitit të paqes të mbajtur të hënën në Egjipt.
Infantino ka qenë në mesin e më shumë se njëzet liderëve botërorë që kanë marrë pjesë në takimin e mbajtur në resortin bregdetar të Detit të Kuq, Sharm El-Sheikh.
“Është shumë e rëndësishme për FIFA-n të jetë këtu për të mbështetur, për të ndihmuar, për të siguruar që ky proces paqe të japë frytet e veta”, ka thënë Infantino pas nënshkrimit të një dokumenti që parashikon plane për stabilitet rajonal dhe rindërtim.
Presidenti i FIFA-s ka deklaruar se organizata e tij do të ndihmojë në rikthimin e futbollit në Gaza dhe në territoret e tjera palestineze, përfshirë rindërtimin e objekteve të shkatërruara gjatë operacionit ushtarak izraelit, ku humbën jetën më shumë se gjashtëdhjetë e shtatë mijë njerëz, si dhe krijimin e një fondi për fusha të reja futbolli dhe programe për të rinjtë.
“Roli i futbollit është të mbështesë, të bashkojë dhe të japë shpresë”, ka theksuar ai. “Ne do të ndihmojmë në rindërtimin e të gjitha objekteve të futbollit në Gaza, do ta rikthejmë futbollin në bashkëpunim me Federatën Palestinene të Futbollit (PFA), dhe do të krijojmë mundësi për fëmijët përmes lojës”.
Infantino ka shtuar se FIFA do të kontribuojë me mini-fusha dhe “Arena FIFA” dhe do të ftojë partnerë të tjerë t’i bashkohen nismës, duke thënë se “futbolli u jep fëmijëve shpresë”.


