Fshati Vragoli i Fushë Kosovës dhe disa lagje të kësaj komune, ishin sot në fokus të drejtuesve të Lëvizjes Vetëvendosje. Kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, tha se banorët kanë nevojë për kryetar që bën kërkesa për zgjidhje e jo që ankohet. Kurse Valon Prebreza, kandidat i kësaj partie për kryetar të Fushë Kosovës, premtoi rregullim të infrastrukturës por edhe zgjidhje të problemeve pronësore.
Në fshatin Vragoli të Fushë Kosovës, qëndruan sot kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, bashkë me Valon Prebrezën, kandidat i kësaj partie për kryetar komune. Në vazhdën e tubimeve elektorale për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, në këtë takim, u premtua përmirësimi i infrastrukturës dhe kushteve të banimit për banorët e këtij fshati.
“Menaxhimi që ka bërë Valoni në ndërmarrje publike ka treguar që është menaxher i mirë dhe ka besnikëri e punon për zhvillimin e të gjithëve. Kemi nevojë për kryetar që bënë kërkesa e jo ankesa dhe që është bashkëpunues dhe jo rivalizues, e ky është Valon Prebreza”, tha Kurti.
Ndërsa Valon Prebreza, kandidat për kryetar të Fushë Kosovës nga LVV-ja, derisa kërkoi votën e banorëve të këtij fshati, atyre u premtoi plotësimin e kërkesave infrastrukturore.
“Me qeverisjen tonë katërvjeçare do t’i zgjerojmë rrugët dhe do ta bëjmë shtegun për biçikleta. Do ta shndërrojmë Vragolinë në një fshat që i ka hije, do ta bëjmë lidhjen e fshatit me Obiliqin. Prioritet është arsimi, ku do ta renovojmë shkollën e po ashtu kopshte për fëmijë”, tha ai.
Takimet me banorët e kësaj komune, drejtues të LVV-së i vazhduan edhe në lagjen 28 dhe 29 në Fushë Kosovë. Atyre iu premtua se prioritet do t’i kenë kanalizimin, ujin e pijshëm dhe rregullimin e trotuareve.
“Te gjitha premtimet e kryetarit e kanë mbështetjen time si kryeministër e si kryetar i LVV-së, edhe ato probleme që ne nuk i dimë e do t’i dëgjojmë bashkë do t’i zgjidhim”, tha Kurti.
“Ajo çfa do të punojmë bashkë janë prioritetet e komunitetit, duke filluar nga pronat publike që do t’i kthejmë në parqe. Do të punojmë sipas ligjeve me investimet e barabarta për komunitetet. Nuk do të ketë familje pa furnizim me ujë, derisa ju garantojmë që do ta themelojmë një grup për zgjidhjen e problemeve me prona”, tha Prebreza.
Në këtë tubim elektoral, u prezantua edhe Gëzim Gara, kandidat për Kuvend Komunal.


