Koloneli i Policisë së Kosovës, Nexhmi Krasniqi të cilit iu kishte caktuar masa e paraburgimit nën dyshimet për detyrim, shmangie nga tatimi dhe armëmbajtje pa leje, nën përcjelljen e Njësisë për Përcjelljen e Burgosurve të Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë, të hënën më 18 gusht është dërguar në
Qendrën Klinike Universitare të Kosovës
Përmes burimeve të saj brenda Policisë, KosovaNews ka marr vesh se pas ekzaminimeve dhe konsultimeve mjekësore, Krasniqi është ndaluar për hospitalizim në Klinikën e Endokrinologjisë, në katin e katërt të QKUK-së.
“I paraburgosuri Nexhmi (Isak) Krasniqi, nën përcjelljen e NJPB-së të Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë, shkoi në QKUK dhe pas konsultimeve u ndalua për hospitalizim në Klinikën e Endokrinologjisë, në katin e katërt.”, bëjnë të ditur burimet e KosovaNews
Kujtojmë se koloneli Nexhmi Krasniqi u arrestua më 4 gusht 2025, në një aksion të Inspektoratit Policor të Kosovës dhe Policisë, i udhëhequr në koordinim me Prokurorinë e Prizrenit, bashkë me Liman Sallaukën, Xhevat Sallaukën dhe Ramadan Paçarizin.
Në këtë rast, Prokuroria ka ngrirë xhirollogari në vlerë prej 126 mijë e 997 euro, ka sekuestruar para “cash” në shumën prej 8 mijë e 850 euro, si dhe një pronë prej 58,7 ari. Gjatë bastisjeve janë konfiskuar edhe armë, municion dhe dokumente të ndryshme që pritet të përdoren si prova materiale.
Dosja hetimore përshkruan se koloneli Krasniqi dhe bashkëpunëtorët e tij dyshohet se kanë detyruar një qytetar që një parcelë me vlerë tregu prej 400–500 mijë euro ta shiste për 250 mijë euro. Nga kjo marrëveshje, Krasniqi dyshohet se ka përfituar 10 mijë euro “cash” në një zarf, ndërsa 20 mijë euro të tjera kanë përfituar vëllezërit Sallauka.
Nderkaq, Gjykata Themelore në Prizren më 6 gusht 2025 caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh për të dyshuarit, ndërsa Gjykata e Apelit e ka lënë në fuqi këtë vendim, duke refuzuar ankesat e mbrojtjes.
Apeli vlerësoi se ekziston dyshimi i bazuar për veprat penale dhe se lirimi i të pandehurve do të rrezikonte hetimet, provat dhe dëshmitarët./KosovaNews/


