Sytë e mbarë botës sot janë drejtuar nga takimi mes presidentit amerikan Donald Trump dhe atij rus Vladimir Putin, i cili do të zhvillohet në Alaska. Takimi shihet më shumë si një përpjekje për forcimin e pozitës diplomatike të Moskës, sesa si një shpresë për paqe në luftën e Ukrainës. Pyetja që ngrihet është: a do të dalë një armëpushim nga kjo përballje dhe kush do të jetë fituesi?
Sipas The New York Times, pritjet për një përparim konkret janë minimale, pasi qëndrimet e dy palëve për ndaljen e luftës janë shumë të largëta nga njëra-tjetra, përcjell KosovaNews.
“Fitorja amerikane” e Putinit
Edhe në Moskë, edhe në Kiev ka një mendim të përbashkët: vetë zhvillimi i këtij takimi përbën një fitore diplomatike për Putinin. Mediat pro-Kremlinit e cilësuan vizitën si “fundin e plotë të politikës së izolimit ndaj Rusisë”.
Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, i cili nuk është ftuar në Alaska, reagoi ashpër duke thënë: “Putin kërkon foto dhe kjo do të jetë fitimi i tij”.
Kërcënimi i Trump-it që mbeti në ajër
Dy javë më parë, Trump i kishte dhënë Putinit një afat për arritjen e armëpushimit, duke kërcënuar me sanksione të ashpra jo vetëm ndaj Rusisë, por edhe vendeve që e mbështesnin në luftë, si Kina e India. Afati kaloi, lufta u ashpërsua, dhe sanksionet e reja nuk u vendosën.
Debati për “shkëmbim territoresh”
Edhe pse e quajti takimin një “bisedë testuese”, Trump la të kuptohej se ishte i hapur për idenë e një “shkëmbimi territori”. Zelenski reagoi duke theksuar se Kushtetuta e Ukrainës nuk lejon heqjen dorë nga territoret, dhe se një hap i tillë do të shkaktonte krizë të thellë politike në Kiev.
Ekspertët paralajmërojnë për një skenar të rrezikshëm: Putin mund të propozojë një marrëveshje që SHBA mund ta pranojë, por që Zelenski nuk do ta pranojë kurrë. Në këtë rast, Trump mund të marrë një qëndrim më të ashpër ndaj Kievit.
Synimet e Putinit në Alaska
Analistët mendojnë se Putini do të përpiqet ta paraqesë Zelenskin si pengesën kryesore për paqen. Sipas ekspertit të Rusisë, Ryhor Nizhnikau, “Trump e sheh veten si negociator të shkëlqyer, por Putini ka luajtur këtë lojë gjithë jetën dhe beson se mund ta manipulojë atë”.
Deklaratat e Trump-it për mundësinë e “shkëmbimit të territorit” kanë ngjallur shqetësim në Kiev, ku Zelenski paralajmëroi se presidenti amerikan mund të “mashtrohet lehtësisht”.
Presioni i brendshëm ndaj Putinit
Një faktor që mund ta dobësojë Putinin është presioni i brendshëm nga nacionalistët rusë. Retorika luftënxitëse e ushqyer për vite me radhë e bën të vështirë që Kremlini të sinjalizojë tërheqje, pa u përballur me reagime të ashpra nga komentatorët dhe blogerët e njohur. Madje, disa nacionalistë e kanë interpretuar vetë mundësinë e paqes si “dorëzim të Putinit”.
Reagimet nga Perëndimi dhe agjenda e re e Kremlinit
Që prej pushtimit të vitit 2022, vetëm dy liderë perëndimorë (kryeministrat e Sllovakisë dhe Hungarisë) janë takuar me Putinin. Kryeqytetet evropiane kritikuan faktin që Trump po organizon një samit për Ukrainën pa praninë e Zelenskit.
Trump, në një videokonferencë me liderët evropianë, u përpoq t’i qetësonte duke thënë se çdo plan paqeje duhet të nisë me armëpushim dhe se nuk do të ketë marrëveshje pa Ukrainën në tavolinë.
Megjithatë, Kremlini sinjalizoi se do të diskutojë edhe çështje të tjera, si normalizimi i marrëdhënieve ekonomike SHBA–Rusi dhe mundësia e një marrëveshjeje të re për armët bërthamore./KosovaNews/
Lexo po ashtu:


