Si edhe më parë gjatë dy dekadave të fundit, në veri të Kosovës, serbët lokalë nën udhëheqjen e bandave kriminale të dirigjuara nga Beogradi zyrtar, më 31 korrik ngritën përkohësisht barrikada për të kundërshtuar vendimet e autoriteteve të Kosovës për reciprocitet ndaj Serbisë.
Situata shkonte duke u tensionuar dhe pas ndërhyrjes e në koordinim me faktorin ndërkombëtarë, sidomos ShBA-në, Qeveria e Kosovës u pajtua që të shtyjë zbatimin e këtyre vendime për një muaj, pasi të hiqeshin barrikadat.
Kryeministri Albin Kurti ka akuzuar Beogradin zyrtar për një fushatë të dezinformimit sa i përket vendimeve për targat dhe dokumentet serbe.
Kurti në një paraqitje për media tha se ka pasur rrezik që situata në veri të përshkallëzohej në konflikt të armatosur për shkak të “frikës së inektuar nga Beogradi dhe për shkak të planeve të bëra në Rashkë dhe në Beograd”.
Kryeministri ka bërë të ditur se ka dyshime për infiltrime nga Rusia pasi, sipas tij, Kremlini po dëshiron ta përdorë Serbinë si platformë për ta destabilizuar Ballkanin dhe, në veçanti, për ta sulmuar Kosovën.
E pohimet e Kurtit se Serbia nën mburojën e Rusisë po nxit tensione me synimet për të përshkallëzuar situatën në konflikt të armatosur, kanë nxitur reagim jo vetëm në Serbi, por për çudi edhe nga disa politikanë në Kosovë.
Marrëzia e Isa Mustafës: Kurti dhe Rusia veprojnë njësoj
Është ish- lideri i LDK-së, Isa Mustafa që ka dhënë kritika e akuza për drejtuesit e institucioneve të Kosovës, që nuk janë dëgjuar as nga shtetet armike.
Në një deklaratë të dhënë dje, Mustafa thotë se qeveria e Albin Kurtit është qeveri e dhunës dhe se nuk dallon shumë prej rusëve sa i përket dhunës, pasi që këta të fundit ia vejnë flakën Ukrainës, ndërsa ata ia vënin flakën institucioneve të Kosovës.
“Kjo është qeveri e dhunës. Me dhunë, gurë, gaz lotësjellës, bomba molotovi, granata ka ardhë në pushtet. Jo me punë dhe merita qeverisëse. Edhe aty ku ka qeverisur ka dështuar, si Prishtina dhe Prizreni. S’dallon shumë prej rusëve sa i përket dhunës. Ata po ia vejnë flakën Ukrainës, këta ia vënin flakën institucioneve të Kosovës për ta rrëzuar pushtetin demokratik. Duan të themelojnë ushtri paralele dhe organe paralele të drejtësisë. “Kushtetutë e pa Kushtetutë” (mësim i keq dhe fatal)”, ka thënë ai.
Tutje Mustafa ka shtuar se, Kurti dhe Osmani siç tha ai, “kaftjall, e drekë e kanë Rusinë e Serbinë” dhe se ata që ndjellin luftë e sjellin Serbinë tek dera.

Deklaratat e Mustafës pëlqehen fort në Serbi, publikohet në ballinat e medieve serbe
Deklaratat kundër Qeverisë së Kosovës të dhëna nga Isa Mustafa dhe disa persona tjerë në Kosovë, po pëlqehen fort nga mediet serbe.
Madje Mustafa ka dalë edhe në ballinat e mediave në Beograd. Është Kurir që i jep hapsirë të madhe Mustafës, për deklaratat e tij kundër Albin Kurtit.
“Qeveria e Kurtit, qeveri e dhunës Mustafa: Ka ardhur në pushtet me dhunë, me gurë, me gaz lotsjellës dhe me bomba, jo me meritë me punë”, ka titullin mediumi serb, që shkruan vazhdimisht kundër Kosovës.
Madje se Kuririt serb i pëlqen fort artikulli ku Mustafa shprehet kundër institucioneve të Kosovës, e tregon edhe me faktin se botohet i plotë dhe me citime.

Kritikat e akuzat e qeveritarëve serbë të ngjashme me të Mustafës
Reagime kundër deklaratave të krerëve të institucioneve të Republikës së Kosovës jepen vazhdimisht nga qeveritarët e lartë të Serbisë.
Së fundi është drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili ka dhënë deklaratë të ngjashme më të Isa Mustafës.
Edhe Petkoviq ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me deklaratat e tij po do luftë e jo dialog.
“Nuk ka dyshim se Albin Kurti me deklaratën e tij të fundit tregon haptazi se do luftë, jo dialog dhe marrëveshje! Nëse Kurti konfirmon publikisht se Asociacioni i Komunave Serbe nuk do të formohet kurrë dhe se serbët duhet të pranojnë vendime të njëanshme dhe të dhunshme për targat dhe kartat e identitetit, është e qartë për të gjithë se Kurti po fton për konflikte në Kosovë dhe Metohi”, ka thënë Petkoviq në regimin për media më 8 gusht.
Kurse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq deklaroi sot për mediet se ka informacione për planet lidhur me veriun e Kosovës.
“Ata po përgatisin likuidimin e popullit tonë në veri”, tha Vuçiq, duke komentuar veprimet e fundit të institucioneve të Kosovës që mori për reciprocitet ndaj Serbisë.
ShBA i jep të drejtë kryeministrit Albin Kurti dhe institucioneve të Kosovës
E qëndrim krejt ndryshe me ish liderin e LDK-së, Isa Mustafa dhe qeveritarët serbë, kanë dhënë zyrtarët me të lartë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).
Është ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili u ka dhënë mbështetje institucioneve të Kosovës në veprimet e tyre të fundit, duke thënë se dy masat e Qeverisë së Kosovës, ajo për reciprocitet për dokumente dhe ajo për targa, ishin në përputhje me faktorin ndërkombëtar.
“ShBA-ja mirëpret vendimin e liderëve të Kosovës për të pezulluar përkohësisht zbatimin e masave të reciprocitetit për targat dhe dokumentet hyrëse/dalëse, të dyja masat janë plotësisht në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe ishin të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar”, ka shkruar Hovenier në rrjetin social.
Më i qartë ka qenë i dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët më 5 gusht, Escobar tha se për Shtetet e Bashkuara, çështja e Kosovës “nuk është çështje e hapur”, pasi Uashingtoni dëshiron që Kosova të njihet prej të gjitha shteteve të BE-së dhe të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.
Madje edhe vitin e kaluar kur është pyetur se pala kosovare do të vendos masën e reciprocitetit për targat me Serbinë, zyrtari amerikan Escobar tha se “Kosova ka pasur të drejtë ta bëjë këtë…”.



