Aeroplanmbajtësja amerikane USS Nimitz po shkon drejt Lindjes së Mesme, ndërsa një numër i madh aeroplanësh amerikanë të furnizimit me karburant janë transferuar në Evropë.
Lëvizja ishte e planifikuar paraprakisht, por po ndodh mes tensioneve në rritje midis Iranit dhe Izraelit, të cilat deri më tani kanë marrë qindra jetë dhe përfshijnë sulme ndaj objektivave kyçe ushtarake dhe energjetike.
Presidenti aktual i SHBA-së, Donald Trump tha gjatë një konference për shtyp në samitin e G7 në Kanada se Irani po tregon shenja se dëshiron të qetësojë konfliktin, por ai shprehu dyshime se ka ende kohë për këtë, shkruan Politico, përcjell Telegrafi.
“Po, ata duan të flasin, por duhet ta kishin bërë më herët”, tha Trump kur u pyet nëse kishte marrë mesazhe përmes ndërmjetësve.
“Irani nuk po e fiton këtë luftë.”
Trump shtoi se konflikti është “i dhimbshëm për të dyja palët” dhe i bëri thirrje Iranit të hyjë menjëherë në negociata.
“Duhet të fillojmë të flasim tani, para se të jetë tepër vonë”, tha ai.
Kur u pyet nga gazetarët se çfarë do ta nxiste SHBA-në të angazhohej drejtpërdrejt ushtarakisht, Trump u përgjigj shkurt: “Nuk dua të flas për këtë”.
Trump më parë tha se SHBA do të vazhdonte ta mbështeste mbrojtjen e Izraelit, por nuk konfirmoi nëse i kishte kërkuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të ndalte sulmet ndaj Iranit.