Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Njësia Rajonale në Prizren, ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për lokalizimin dhe arrestimin e një personi të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale që lidhen me substanca narkotike.
I dyshuari është Bujar Pantina, i biri i Rifatit, dhe vëllai i ish deputetes së PSD-së e cila më pas kaloi në LDK, Shqipe Pantina, i lindur më 07 janar 1978, banues në fshatin Gllarevë, komuna e Klinës.
Ai dyshohet për kryerjen e veprës penale: “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, sipas nenit 267 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Pantina, i cili është vëllai i ish-deputetes Shqipe Pantina, ndodhet në arrati që nga data 4 shkurt 2025, ndërsa hetimet e zhvilluara deri më tani kanë prodhuar prova që mbështesin dyshimet mbi përfshirjen e tij në këtë aktivitet kriminal.

Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që nëse kanë ndonjë informacion për vendndodhjen e të dyshuarit, të lajmërojnë menjëherë përmes numrit emergjent 192, në rrjetet sociale, në faqen zyrtare të Facebook-ut të Policisë së Kosovës apo në cilindo stacion policor në vend.
Autoritetet sigurojnë se çdo informacion do të trajtohet me konfidencialitet të plotë.