Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, iu bashkua protestës së opozitës në Tiranë rreth 1 orë e gjysmë me vonesë.
Berisha erdhi nga Brukseli në Tiranë dhe pa humbur kohë mori fjalën para protestuesve në Bulevardin Zogu i Parë.
Berisha deklaroi se forumi International Democracy Union (IDU) u njoh botërisht me përdorimin e qindra milionë eurove për të blerë vullnetin e qytetarëve shqiptarë.
“Të dashur demokrate dhe demokratë të pranishëm në këtë shesh dhe kudo që jeni sot, në Shqipëri dhe jashtë saj, përshëndetjet më të përzemërta nga Bashkimi Demokrat Ndërkombëtar.
Mbi 87 parti politike, para të cilave paraqita sot masakrën elektorale të Toto Rinos së Ballkanit apo El Çapos së Ballkanit, Edi Rama”, tha ai.
Tutje Berisha tha se “njoha miqtë me të gjithë shkeljet monstruoze dhe bindja e përgjithshme ishte se karrigia e Edi Ramës qëndron mbi krimin monstruoz të grabitjes dhe plaçkitjes së zgjedhjeve të qytetarëve shqiptarë”.
“Forumi botëror i partive të qendrës së djathtë, u njoh me përdorimin nga Edi Rama të bandave më të rrezikshme të Shqipërisë, rajonit dhe Evropës. U njoh me listën e kandidatëve të krimit, me në krye Edi Ramën dhe vazhdon me Sara Milen, me ministrin e krimit, me Taulant Ballën, me dhjetëra kandidatë të tjerë të botës së krimit. U njoh dhe u denoncua botërisht përdorimi i qindra milionë eurove për të blerë vullnetin e qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha.
“Dhurata 70 milionë euro për votën, falja e 200 milionë eurove të gjobave, mbi gjysmë miliardë euro koncesione dhe prokurime. Pra, zgjedhjet në Shqipëri ishin farsa elektorale më e shëmtuar pas rënies së Perdës së Hekurt në Ballkan dhe Evropë”.
“Ndaj dhe u përshëndes ju dhe u garantoj se Edi Rama kurrë nuk do mund të qëndrojë në atë karrige me zgjedhje të vjedhura, me zgjedhje krimi, me zgjedhje të korrupsionit, por do marrë përgjigjen që meriton dhe që kanë diktator, çdo narkodiktator”, u shpreh Berisha.