Një përplasje verbale ka ndodhur sot mes Dardan Sejdiut, ish-nënkryetar i Komunës së Prishtinës dhe kryetarit aktual Përparim Ramës.
Përplasja verbale ka ndodhur pas dështimit të seancës së Kuvendit të Prishtinës, ku në rend dite ishte propozim-vendimi për vënien në shqyrtim publik të Projekt-dokumentit të Planit Zhvillimor Komunal 2025-2033.
Ema Nikçi, asambliste nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas dështimit të seancës i drejtohet ish-nënkryetarit Dardan Sejdiu se nuk kanë asnjë obligim ndaj tij.
“Ndaj teje s’ka askush obligim me u përgjigj… e keni qeverisë 8 vjet komunën dhe e keni shkatërruar”, tha ajo.
Ndërkaq, ish-nënkryetari Sejdiu dëgjohet duke thënë “4 vjet… nuk jemi tu rrejt”, tha ai.
Më pas, një përplasje verbale pati edhe ndërmjet kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama dhe ish-nënkryetarit Dardan Sejdiu.
Rama tha se dokumenti për Planin Zhvillimor komunal është i gatshëm që më shumë se 1 vit, por që sipas tij, po bllokohet nga opozita në Prishtinë.
“Kemi bërë thirrje që sot të votojmë që ta qesim në diskutim publik Planin zhvillimor komunal… që është i gatshëm tash e një vjet e gjysmë, e që po bllokohet nga opozita, LVV e PDK-ja”, tha ai, raporton Telegrafi.
Sipas tij, në seancën e Kuvendit komunal nuk ishin asamblistët që janë votuar nga qytetarët e kryeqytetit. Ai tha se ky dokument është me rëndësi të madhe për kryeqytetin në shumë sfera.
Pas kësaj, ish-nënkryetari Sejdiu e pyeti Ramën se sa lagje janë vizituar në proces.
“Një numër i madh i lagjeve tërë kohën… ne vizitojmë lagje…”, tha Rama.
Sejdiu tutje insistoi se sa lagje e kanë parë planin?
“Ja që njerëz si ti që japin dezinformuar e i rrejnë qytetarët”, u shpreh tutje Rama.
“A ja nise a? Sa lagje i ke vizituar, në sa lagje e ke qit Planin zhvillimor… Nuk ke nevojë për sulme… mos të thotë po rrejmë se ne jemi tu pyet?”, u shpreh Sejdiu