Ministria e Brendshme në Shqipëri bëri të ditur se Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara ka marrë në dorëzim 102 kontejnerët, të cilët u shkarkuan ditën e sotme nga anija e ankoruar në Portin e Durrësit.
Anija qëndronte në det që prej 28 tetorit, ndërsa mëngjesin e 8 nëntorit, hyri në portin e Durrësit, ku u shkarkuan kontejnerët në bazë të procedurave të kontrollit dhe sigurisë.
“I gjithë procesi është realizuar përmes një plani të detajuar masash, edhe në zbatim të urdhrit të Prokurorisë Durrës për zbarkimin dhe ruajtjen e 102 kontenierëve të anijes “Moliva”, në një vend të sigurt, larg zonave të banuara, si edhe duke respektuar në mënyrë rigoroze kushtet e sigurisë fizike, mjedisore dhe shëndetësore”, thuhet në njoftimin nga Ministria e Brendshme në Shqipëri .
Përveç punonjësve të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, në operacion kanë marrë pjesë edhe Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit, Autoriteti Portual Durrës, Kapiteneria e Portit Durrës, Dogana Durrës, Drejtoria e Hetimit Doganor, si edhe Prokuroria e Durrësit.
Bëhet e ditur se pas shkarkimit të kontejnerëve nga anija, ato janë transportuar në masa rigoroze sigurie në destinacionin final ku do të mbahen në monitorim dhe administrim nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Çdo veprim është regjistruar dhe dokumentuar përmes procesverbalëve dhe kontejnerët janë kontrolluar, skanuar dhe verifikuar, që nga gjendja e tyre e jashtme, deri tek të gjithë elementët e tjerë të sigurisë”, thuhet tutje në njoftim.


