Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves. Në një postim në Facebook, ai ka thënë se e ka njoftuar ambasadorin për planin partiak për zgjedhjet.
“E njoftova ambasadorin mbi përgatitjet tona për zgjedhjet e 9 shkurtit, programin tonë politik ‘Rruga e Re’ dhe fokusin tonë elektoral në politika zhvillimore e projekte që kanë rëndësi e peshë njëmend për qytetarët në vend”, ka shkruar ai.
Tutje ai ka thënë se e ka njoftuar ambasadorin për ekipin e programin e ri të LDK-së.
“Ambasadorit po ashtu i theksova rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare për stabilitetin dhe zhvillimin demokratik të Kosovës; në veçanti në përballje me kundërshtarët e shtetësisë sonë. Mbretëria e Bashkuar ka qenë dhe mbetet aleat i ngushtë i yni në këtë drejtim. Për këtë, ne dhe populli i Kosovës mbesin mirënjohës përherë”, ka shkruar ai.