Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja në Konferencën VII të Procesit të Berlinit, ka ngritur shqetësimin e tij për çështjen e botimeve shkencore.
Ai tha se Kosova duke mos qenë anëtare e UNESCO-s, i është pamundësuar të marrë ISSN-në për revista shkencore.
“Në mungesë të ISSN-së, të gjithë ata që duan të avancohen në procesin mësimor universitar janë të detyruar të publikojnë punime shkencore në revista me impakt faktor, i cili në Ballkanin Perëndimor, por jo vetëm këtu, është bërë treg spekulativ, respektivisht i dyshimtë në të gjitha pikëpamjet. Nëse vonohet pranimi i Kosovës në UNESCO, Akademia do të kërkojë nga Universiteti që të rishikojë rregulloret e veta, në mënyrë që avancimet dhe marrja e titujve të mos lidhet me botime të këtilla spekulative”, ka thënë Kraja.
Prandaj, siç tha ai,do të doja që nga ky tubim të dalë si rekomandim që Kosovës t’i bëhet një vend në familjen e madhe të kulturës dhe shkencës, pra në UNESCO, meqë pranimi në këtë organizatë zgjidh edhe disa çështje substanciale që lidhen edhe me veprimtarinë shkencore dhe universitare.
“Bie në kundërshtim të thellë mospranimi i Kosovës në këtë organizatë me misionin dhe me parimet e saj themelore. Ndërkohë, neve na mbetet t’i realizojmë tre prioritete: 1) Të hapen institute dhe qendra hulumtimi pranë fakulteteve dhe katedrave universitare; 2) Buxheti që ndahet për veprimtari shkencore (i vogël, natyrisht) të shkojë ekskluzivisht për hulumtime shkencore dhe të mos shpenzohet si buxhet suplementar për arsimin e lartë; dhe 3) Akreditimi i universiteteve private të mos bëhet pa programe shkencore”, ka thënë Kraja.