Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar që t’i caktohet masa e paraburgimit të dyshuarit E.A., i cili të martën në fshatin Vajnikë të Skenderajt u kap me afro 60 kilogramë marihuanë.
Të dyshuarit i ishin gjetur në shtëpi dhe objekte përcjellëse një sasi prej 59 kg e 973 gramë marihuanë.
Sot mbahet seanca për caktimin e paraburgimit.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari E.A., prej datës të pacaktuar e deri me datë 15.08.2023 në fshatin Vajnikë – komuna e Skenderajt, në shtëpi dhe objektet përcjellëse, me qëllim shitje apo shpërndarje, pa autorizim ka poseduar substanca narkotike të llojit marihuanë, me peshë të tërësishme prej 59 kilogramë e 973 gramë. Seanca për caktimin e paraburgimit për të ndaluarin E.A., mbahet ditën e sotme (e mërkurë) para gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Mitrovicë”, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Mitrovicë.


