Subvencionimi nga ana e Qeverisë për termoizolimin e mureve, ndërrimin e dritareve dhe dyerve të shtëpive individuale të banueshme, është mirëpritur nga të gjithë. Njohës të fushës së energjisë konsiderojnë se zbatimi i masave të eficiencës së energjisë do të ketë impakt edhe në kursim të energjisë edhe në ekonomi të Kosovës.
Para pak ditësh është hapur thirrja për zbatimin e masave të Efiçencës së Energjisë për shtëpitë individuale të banueshme. Kësaj radhe subvencionimi do të bëhet për termoizolimin e mureve, ndërrimin e dritareve dhe dyerve të jashtme. Subvencioni do të mbulojë 45% të investimeve, deri në 5 mijë e 500 euro.
Eksperti i fushës së energjisë, Lulzim Syla, i tha Radio Kosovës se ky projekt do të ketë impakt shumë të mirë në kursim të energjisë e po ashtu edhe në ekonomi. Ai tha se javët në vazhdim do të ketë edhe thirrje të tjera.
“Besojmë se edhe ky fond mbështetës do të japë efektin e vet shumë të madh. Besoj që familjet por edhe bizneset do të aplikojnë, sepse kjo është vetëm thirrja e parë e do të ketë edhe thirrje të tjera në javët në vazhdim. Një mbështetje prej 45% deri 50% është shumë e mirëseardhur me qëllim të implementimit të masave qoftë paneleve termike, solare apo pajisjeve të tjera të cilat mundësojnë kursimin e energjisë përkatësisht prodhimin e energjisë së gjelbër”, tha Syla.
Liron Gjocaj, hulumtues në INDEP, thotë se është i kënaqur që Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Fondin e Kosovës për Efiçiencë të energjisë dhe fonde të IPA-së nga Komisioni Evropian, ka filluar të zbatojë skemën mbështetëse për shtimin e masave te energjisë
“Çdo hap që merret në shtimin e masave të efiçiencë se energjisë nga INDEP është i mirëpritur dhe do të ketë kontributin, ndihmën e rekomandimet që të ketë efekt sa më të madh. Këto masa kanë qenë të rekomanduara nga ne qysh para tri viteve. Ne kemi propozuar shumën 10 milionë euro investim, ndër të tjera patëm propozuar që subvencionimi të jetë në vlerën 50% të investimit, ndërsa qeveria ka vendosur që subvencionimi të jetë 45%, ndërsa në vlerë 50% vlen vetëm kur prona është në bashkëpronësi të bashkëshortëve ose nëse gruaja është pronare e pronës”, thotë ai.
Gjocaj tha se kriteret e pranueshmërisë janë të kënaqshme dhe jo shumë të vështira.
Për t’u kualifikuar për marrjen e subvencionit kriteri bazë, sipas Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, duhet që shtëpia të jetë e banueshme, dhe në 1 nga 24 muajt e fundit, të ketë konsum të energjisë elektrike prej së paku 250 kilovat orë për muaj, si dhe nëse shtëpia nuk ka izolim termik, masat e tjera nuk do të aprovohen fare. Qytetarët të cilët dëshirojë të përfitojnë nga ky subvencionim, duhet të aplikojnë në portalin eKosova.


